Robert Wuertz e ka marrë detyrën e Drejtorit të misionit në Maqedoni në mars të vitit 2011. Z. Wuertz menaxhon me portfolio të projekteve në vlerë prej mbi $100 milionëve, me të cilat mbështetet zhvillimi ekonomik, demokracia, qeverisja lokale dhe arsimimi. Programet e USAID-it i trajtojnë sfidat kryesore të Maqedonisë për uljen e varfërisë, ringjalljen e ekonomisë, krijimin e vendeve të punës, promovimin e zhvillimit të udhëhequr nga sektori privat, si dhe reformën e pushtetit lokal. Këto përpjekje i ndihmojnë vendit në avancimin e tranzicionit drejt demokracisë stabile dhe prosperuese dhe e përkrahin anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.
Z. Wuertz ka të kaluar të gjatë në USAID. Para ardhjes në Shkup, ai ka qenë Zëvendës-Drejtor i Misionit në Irak ku shpesh herë e ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Misionit. Përveç menaxhimit me portfolion e shumë sektorëve të USAID-it në vlerë prej $7 milionëve, ai e ka mbikëqyrur edhe punën e njësisë vetë-funksionale të USAID-it në Bagdad.
Prej vitit 2008 deri në vitin 2009, z. Wuertz ka qenë Drejtor i zyrës së politikave dhe sektorit privat në Misionin e USAID-it në Kajro, ku e ka mbikëqyrur programin e USAID-it në Egjipt për reformën e transferit të të hollave të gatshme, Programin e importit të mallrave dhe aktivitetet për mbështetjen teknike të reformave të politikës ekonomike. Prej korrikut deri në shtator 2009 ka qenë Ushtrues detyre i Zëvendës-Drejtorit në Kairo.
Paraprakisht, z. Wuertz ka qenë Mbikëqyrës i programit në Pakistan (2007-2008), Shef i Zyrës për zhvillim ekonomik dhe qeverisje në Manila (2003-2007), Referent i qeverisjes në Manila (2000-2003), Ekonomist i programit mbikëqyrës në Kajro (1994-2000), si dhe Ekonomist i programit në Gana (1990-1994).
Para se t’i bashkëngjitet USAID-it, z. Wuertz ka punuar si Këshilltar ekonomik i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, i deleguar në Ministrinë e financave të Arabisë Saudite në Riad. Ka punuar edhe në sektorin privat, në funksione të ndryshme që lidhen me çështjet ekonomike, sociale dhe energjetike.
Z. Wuertz ka doktoruar ekonominë në Universitetin e Virxhinias dhe ka magjistruar në Cornell.
